Gennaro Gattuso ka ndezur motorët për sfidën më të rëndësishme të sezonit, duke kontaktuar plot 50 futbollistë në prag të “play-offit” për Kupën e Botës 2026.
Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, trajneri i Italisë ka zhvilluar takime dhe darka pune me grupe lojtarësh, për të mbajtur skuadrën të bashkuar në një moment kritik.
“Italia” rrezikon të humbasë Botërorin për herën e tretë radhazi, ndaj presioni është maksimal.
“Azzurrët” do të përballen me Irlandën e Veriut në Bergamo më 26 mars, në gjysmëfinalen e “play-off”-it.
Një fitore do t’i çonte në finalen me një ndeshje të vetme jashtë fushe kundër fituesit të çiftit Uellsi – Bosnje-Hercegovina.
Mes emrave të kontaktuar spikasin liderë si Gianluigi Donnarumma, Nicolò Barella dhe Federico Chiesa, por edhe talente të rinj që mund të sjellin energji të re.
Lista e zgjeruar tregon se Gattuso po analizon çdo opsion të mundshëm për të ndërtuar skuadrën më konkurruese.
Me kalendarin e klubeve të ngjeshur, grumbullimi klasik ka qenë i pamundur, por tekniku italian ka zgjedhur rrugën e komunikimit të drejtpërdrejtë për të forcuar frymën e grupit.
Marsin e pret një sfidë “jetë a vdekje” për Italinë – dhe Gattuso duket i vendosur të mos lërë asgjë në dorë të rastësisë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: