Rennes ka shkaktuar surprizën e javës në Ligue 1, duke mposhtur me shifrat 3-1 kryesuesit e Paris Saint-Germain në kuadër të xhiros së 22-të.
Edhe pse parizienët dominuan në posedim dhe krijuan më shumë raste, vendasit treguan cinizëm maksimal para portës. Ishte Mousa Tamari ai që zhbllokoi sfidën në minutën e 34-t me një goditje të bukur nga distanca.
Në pjesën e dytë, PSG-ja rriti presionin, por goli i dytë erdhi sërish nga Rennes.
Esteban Lepaul realizoi me kokë në minutën e 69-të pas harkimit të Damian Szymanski.
Reagimi i kampionëve nuk vonoi dhe Ousmane Dembele ngushtoi shifrat në 2-1 në minutën e 72-të, duke rihapur sfidën. Pak më pas, Gonçalo Ramos humbi një mundësi të artë për barazim.
Me PSG-në të hedhur në sulm, Rennes goditi në kundërsulm. Breel Embolo shënoi nga afërsia në minutën e 81-të pas asistimit të Ludovic Blas, duke vulosur triumfin 3-1.
Pas kësaj humbjeje, PSG mbetet në krye me 51 pikë, ndërsa Rennes ngjitet në vendin e pestë me 34 pikë, duke rihapur garën për zonën europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: