Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, ka konfirmuar një lajm të keq për skuadrën: mesfushori japonez, Wataru Endo, do të mungojë për një periudhë të gjatë pas dëmtimit të rëndë të pësuar në ndeshjen kundër Sunderland-it në mesjavë.
Tekniku holandez u shpreh pesimist për rikuperimin e shpejtë të lojtarit. “Nuk presim një përfundim pozitiv. Duhet të presim dhe të shohim, por llogarisim që nuk do të mund ta kemi për një kohë të gjatë”, deklaroi Slot. Ai theksoi se skuadra ka përjetuar situata të ngjashme me dëmtimet dhe tani duhet të gjejë zgjidhje për të ruajtur nivelin e performancës.
Në prag të përballjes me Brighton & Hove Albion në FA Cup, Slot pranoi se ende nuk e ka vendosur formacionin, duke pasur parasysh kalendarin e ngjeshur dhe numrin e madh të lojtarëve të dëmtuar. Ai vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar se Brighton luan më mirë sesa tregon pozicioni në renditje dhe meriton më shumë pikë.
Trajneri nënvizoi gjithashtu prioritetet e klubit në këtë fazë të sezonit: FA Cup, kualifikimin për UEFA Champions League dhe ecurinë në vetë këtë kompeticion. Sipas tij, menaxhimi i ngarkesës fizike është thelbësor, pasi skuadra nuk ka nevojë për dëmtime të tjera. Slot shtoi se stafi teknik do të vazhdojë të punojë ngushtë me lojtarët për të marrë vendimet më të mira në një periudhë vendimtare të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: