Mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, ka shprehur hapur zemërimin e tij pas golit të anuluar ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinalen e ‘Copa del Rey’. Vendimi i arbitrit Juan Martínez Munuera erdhi pas një rishikimi të gjatë nga VAR-i, që zgjati mbi gjashtë minuta, dhe shkaktoi polemika të mëdha në kampin katalanas.
I pyetur për episodin e golit të anuluar të Cubarsí, De Jong ishte shumë i drejtpërdrejtë. “E pashë më pas pamjen dhe shihet qartë që nuk kishte pozicion jashtë loje”, tha ai, duke vënë në dyshim edhe imazhet e transmetuara në televizion. Sipas tij, në pamjen e shfaqur nuk dukej momenti i kontaktit me topin dhe situata ishte e paqartë.
“Në imazhin që u shfaq në televizion nuk shihet kontakti me topin… mendoj se është shumë e çuditshme”, shtoi mesfushori holandez, i cili kritikoi edhe kohën e gjatë të shpenzuar për rishikimin e aksionit.
De Jong mbrojti pjesërisht arbitrin kryesor, por jo sistemin VAR: “Ai nuk mund të bëjë shumë, sepse është duke pritur. Nuk e ka imazhin. Por VAR-i e ka”. Më pas erdhi deklarata e tij më e fortë: “Pamja që pashë, nëse nuk është IA… nëse kjo është fotografia, është skandal, sepse është shumë e qartë”.
Në klubin katalanas ka pakënaqësi të madhe edhe për faktin se nuk u përdor sistemi gjysmë-automatik për pozicionin jashtë loje. Drejtuesit e Barcelonës po shqyrtojnë mundësinë e paraqitjes së një ankese zyrtare për arbitrimin dhe përdorimin e VAR-it.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: