Shqipëria do të luajë në Grupin C1 të Ligës së Kombeve me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon.
Për këtë nga Brukseli foli presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
“Në përgjithësi, unë nuk është se kam menduar ndonjëherë që ndeshjet fitohen në short apo në letër. Ndeshjet dhe kompeticionet fitohen në fushë. Ka shpeshherë raste që mendon se shorti ishte i keq dhe në përfundim të aktivitetit renditesh më mirë dhe anasjelltas.
Gjithmonë ka një lloj baraspeshe sportive të skuadrave, sepse ndahen në vazo siç dihen rregullat. Nuk mund të them nëse ishim me fat apo pa fat. Mund të them për një gjë që ishim me fat që nuk kemi ndonjë skuadër që do të udhëtojmë shumë larg.
Në Finlandë uroj që të mos luajmë në nëntor, sepse ka goxha temperatura të ulëta dhe nuk është mirë për futbollistët. Gjithsesi është një kompeticion që kemi kohë për ta përgatitur. Jam shumë i sigurt që do ta përgatisim dhe luajmë mirë.
Dihet si për të gjithë shqiptarët dhe për ne sot përqendrimi kryesor janë ndeshjet e play-off-it të marsit, të cilat mund të na sigurojnë biletën e fundit për në Kupën e Botës.
Më pas, do të mendojmë edhe për këtë organizim. Uroj që të kemi sukses në mars, uroj që të bëjmë gjithçka mirë me ndeshjet e play-off-it dhe pastaj të fillojmë dhe të mendojmë edhe për Nations League, i cili nuk është një kompeticion më pak i rëndësishëm.
Është shumë i rëndësishëm jo vetëm për renditjen dhe për të shkuar një grup më lart, por është shumë i rëndësishëm sepse nga ky kompeticion mund të sigurojmë edhe një vend në play-off-in e kualifikueseve të Europianit. Do ta bëjmë sa më mirë, do ta përgatisim sa më mirë dhe uroj që të kemi të gjithë futbollistët, akoma edhe më shumë të rinj, për ta luajtur sa më mirë këtë kompeticion”, u shpreh presidenti Duka.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: