Shorti i Ligës së Kombeve/ Shqipëria në grup të kalueshëm, Kosova përplaset me Austrinë, spektakël në Ligën A

Shorti i Ligës së Kombeve/ Shqipëria në grup të kalueshëm, Kosova përplaset me Austrinë, spektakël në Ligën A

19:13, 12/02/2026

Në Bruksel u hodh sot shorti i fazës së grupeve për edicionin 2026-2027 të UEFA Nations League, duke përcaktuar rrugëtimin e kombëtareve për sezonin e ri.

Shqipëria dhe Kosova tashmë njohin rivalët e tyre, ndërsa në Ligën A janë rezervuar disa superpërballje.

Shqipëria në Grupin C1

Kombëtarja shqiptare është pozicionuar në Grupin C1 të Ligës C, ku do të përballet me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Një grup që në letër konsiderohet i favorshëm për “Kuqezinjtë”, të cilët synojnë rikthimin në Ligën B.

Finlanda pritet të jetë rivali kryesor në garën për vendin e parë, ndërsa Bjellorusia mbetet një kundërshtar që kërkon vëmendje maksimale.

San Marino, ndërkohë, konsiderohet skuadra më e dobët e grupit dhe çdo hap fals ndaj saj do të ishte i papranueshëm për objektivat e Shqipërisë.

Sipas rregullores së UEFA-s, vendi i parë në grup siguron ngjitjen në Ligën B, ndërsa vendi i dytë mund të përfshihet në fazën “play-off”, në varësi të formulës përfundimtare. Objektivi i Shqipërisë është i qartë: fitimi i grupit dhe rikthimi një nivel më lart, duke ruajtur gjithashtu një rrugë alternative drejt kualifikimit për EURO 2028.

Kosova në Grupin B3

Kosova do të garojë në Grupin B3 të Ligës B, ku e presin sfida të forta përballë Izraelit, Austrisë dhe Republikës së Irlandës.

Në letër, Austria shihet si kundërshtari më i fortë, ndërsa Izraeli dhe Irlanda janë përfaqësuese që mund të hapin probleme serioze.

“Dardanët” do të synojnë mbijetesën dhe, pse jo, një surprizë në një grup mjaft konkurrues.

Superndeshje në Ligën A

Siç pritej, shorti prodhoi përballje spektakolare në elitën e Nations League. Mes tyre spikasin duele si Spanjë–Angli, Francë–Itali dhe Gjermani–Holandë, që premtojnë emocione të mëdha për tifozët e futbollit europian.

Ndryshon kalendari

Një risi e këtij edicioni është ndryshimi i kalendarit ndërkombëtar. Për herë të parë, UEFA ka bashkuar dritaret e shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme të zgjatur. Kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje nga 24 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të luhen nga 12 deri më 17 nëntor.

Ky format i ri synon të reduktojë ngarkesën e udhëtimeve për lojtarët dhe erdhi pas diskutimeve të gjata mes UEFA-s dhe klubeve europiane.

Nations League mbetet një kompeticion kyç për kombëtaret, pasi ndikon drejtpërdrejt në renditjen e UEFA-s dhe në mekanizmat shtesë të kualifikimit për turnetë madhorë. Për Shqipërinë dhe Kosovën, aventura e re nis me objektiva të qarta dhe me shumë ambicie.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco