Real Madridi po përballet me shqetësime serioze sa i përket gjendjes fizike të Kylian Mbappes.
Sulmuesi francez ka munguar për të dytën ditë radhazi në stërvitje, për shkak të problemeve në gju, duke vënë në pikëpyetje paraqitjen e tij në ndeshjen e së shtunës ndaj Real Sociedad.
Sipas raportimeve nga Spanja, Mbappe po vazhdon rikuperimin në palestër dhe nuk është bashkuar ende me pjesën tjetër të skuadrës.
Bëhet fjalë për të njëjtin gju që e shqetësoi edhe në muajin dhjetor, çka ka rritur frikën për një rikthim të mundshëm të problemit.
Mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për madrilenët, duke marrë parasysh formën e jashtëzakonshme që ai po kalon këtë sezon.
Mbappe ka realizuar 38 gola në 31 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke qenë lojtari më vendimtar i skuadrës së Carlo Ancelottit.
Problemet nuk mbarojnë këtu për “Los Blancos”, pasi edhe Raul Asencio mungoi në seancën e fundit stërvitore për shkak të gripit.
Real Madridi ndodhet vetëm një pikë pas Barcelonës në garën për titull në La Liga, ndërsa të martën e ardhshme e pret një tjetër sfidë e madhe – përballja me Benficën në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Ligës së Kampionëve.
Gjendja e Mbappes mbetet në qendër të vëmendjes, me tifozët që presin me ankth lajme pozitive para sfidave vendimtare të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: