Edicioni i pestë i Ligës së Kombeve merr zyrtarisht jetë sot në orën 18:00 në Bruksel, ku do të hidhet shorti për sezonin 2026/27.
Ky kompeticion, i krijuar nga UEFA për të zëvendësuar ndeshjet miqësore mes kombëtareve, ka fituar rëndësi të madhe në kalendarin ndërkombëtar, duke ofruar përballje më konkurruese dhe emocione të vazhdueshme.
Deri tani, Nations League është fituar dy herë nga Portugalia dhe nga një herë nga Franca dhe Spanja.
Si do të funksionojë shorti?
Në këtë edicion marrin pjesë 54 shoqata anëtare të UEFA-s, të ndara në katër liga: A, B, C dhe D.
Shorti i Ligave A, B dhe C do të formojë nga katër grupe me nga katër skuadra secila. Çdo kombëtare do të zhvillojë gjashtë ndeshje (tre në shtëpi dhe tre jashtë) kundër kundërshtarëve të grupit.
Ndërkohë, Liga D do të përbëhet nga dy grupe me nga tre skuadra. Çdo ekip do të luajë katër ndeshje (dy në shtëpi dhe dy jashtë).
Ashtu si në edicionin e kaluar, dy vendet e para në secilin grup të Ligës A kualifikohen në çerekfinale. Skuadra e vendit të katërt bie në Ligën B, ndërsa ajo e vendit të tretë do të luajë “play-off” për mbijetesë kundër një prej skuadrave të dyta të Ligës B.
Edhe Ligat B, C dhe D do të ndjekin sistemin e promovimit, rënies dhe “play-off”-it.
Kosova në Ligën B, Shqipëria në Ligën C
Liga A
Vazo 1: Portugalia, Spanja, Franca, Gjermania
Vazo 2: Italia, Holanda, Danimarka, Kroacia
Vazo 3: Serbia, Belgjika, Anglia, Norvegjia
Vazo 4: Uellsi, Çekia, Greqia, Turqia
Liga B (Kosova në Vazon 4)
Vazo 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli
Vazo 2: Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Austria, Ukraina
Vazo 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës, Rumania
Vazo 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Kosova
Kosova ndodhet në vazon e katërt dhe rrezikon përballje të forta, por gjithashtu ka mundësi reale për të synuar mbijetesën apo edhe surprizën në grup.
Liga C (Shqipëria në Vazon 1)
Vazo 1: Islanda, Shqipëria, Mali i Zi, Kazakistani
Vazo 2: Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia
Vazo 3: Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia
Vazo 4*: Letonia ose Gjibraltari, Luksemburgu ose Malta, Moldavia, San Marino
Shqipëria pozicionohet në vazon e parë të Ligës C dhe konsiderohet një nga favoritët për të synuar ngjitjen në Ligën B.
Liga D
Vazo 1*: Azerbajxhani, Lituania, Gjibraltari ose Letonia, Malta ose Luksemburgu
Vazo 2: Lihtenshtajni, Andorra
*Pozicionet e shënuara me yll do të përcaktohen pas ndeshjeve eliminatore të Nations League 2024/25, që zhvillohen në mars 2026 mes Letonisë/Gjibraltarit dhe Luksemburgut/Maltës.
Shorti i sotëm pritet me interes të madh në Kosovë dhe Shqipëri, pasi do të përcaktojë rrugëtimin e dy kombëtareve në një kompeticion që tashmë ka peshë të madhe në futbollin evropian. Emocionet nisin në orën 18:00.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: