Robert Lewandowski po e shqyrton me qetësi të ardhmen e tij. Sulmuesi polak 37-vjeçar, që i përfundon kontrata me Barcelonën më 30 qershor, nuk do të marrë një vendim para muajit prill, pasi të përfundojnë zgjedhjet presidenciale të klubit katalanas më 15 mars. Vetëm atëherë ai do të analizojë ofertën e Barcelonës dhe propozimet e tjera që ka në tryezë.
Sipas burimeve pranë lojtarit, Lewandowski ka të paktën pesë oferta konkrete për të vazhduar karrierën jashtë Spanjës. Një nga destinacionet më të përfolura është Chicago Fire në MLS. Interesimi i klubit amerikan është raportuar prej kohësh dhe vizita e bashkëshortes së tij, Anna Lewandowska, në Çikago për çështje biznesi ka shtuar zërat se familja po vlerëson mundësinë e transferimit atje.
Në horizont përmenden edhe Milani, Atlético Madrid, Fenerbahçe dhe oferta nga Arabia Saudite, megjithëse me më pak siguri. Duke pasur parasysh se Lewandowski do të mbushë 38 vjeç në gusht, aspekti financiar nuk është më prioriteti i tij kryesor. Sulmuesi kërkon mbi të gjitha stabilitet familjar dhe një ambient ku do të ndihet mirë.
Për këtë arsye, prioriteti i tij mbetet Barcelona, ku trajner është Hansi Flick. Nëse klubi katalanas i ofron një rinovim kontrate të përshtatshëm, edhe me kushte ekonomike më të ulëta, Lewandowski është i prirur të qëndrojë. Vendimi përfundimtar pritet të merret në pranverë, kur do të qartësohet edhe projekti sportiv i klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: