Ernest Muçi, i huazuar nga Beshiktashi te Trabzonspori me opsion blerjeje, po tërheq vëmendjen e klubeve europiane me paraqitjet e tij. Në ndeshjen kundër Fenerbahçe-s, të shtunën në orën 18:00, pritet që përfaqësuesit e dy klube angleze ta shikojnë nga tribunat futbollistin shqiptar.
Muçi, 24 vjeç, ka luajtur 22 ndeshje me fanellën e Trabzonspor-it këtë sezon dhe ka dhënë kontribut direkt në 17 gola, 12 rrjeta dhe 5 me asistime. Performanca e tij në rritje ka bërë që shumë klube europiane të interesohen për të.
Për ndeshjen e javës së 22-të të Super Ligës, kur Trabzonspori do të presë Fenerbahçe-n në shtëpi, disa skautë nga Evropa do të jenë në tribunë. Veçanërisht, dy klube angleze pritet ta ndjekin nga afër Muçin.
Gjithashtu, skautët do të vëzhgojnë edhe Christ Oulai dhe Arseniy Batagov, dhe për ta thuhet se ka interes të madh nga Evropa.
Kujtojmë edhe deklaratën e presidentit të Trabzonspor-it, Ertuğrul Doğan, gjatë merkatos së janarit: “Edhe futbollisti ynë i huazuar ka kërkesa nga Evropa”. Pas kësaj, mendohet se ai fjalën e kishte për Ernest Muçin.
Sipas raporteve, drejtuesit e Trabzonspor-it presin që në fund të sezonit të marrin oferta të rëndësishme për Muçin, Oulai dhe Batagov dhe të arkëtojnë shumë nga shitjet e tyre.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: