Mario Balotelli ka deklaruar se ka qenë viktimë e fyerjeve raciste gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Dubai. Sulmuesi i Al-Ittifaq e bëri publik rastin përmes një postimi në Instagram, ku tregoi se ishte ofenduar disa herë gjatë lojës.
“Sot, gjatë një ndeshjeje, isha viktimë e fyerjeve raciste disa herë. Më është thënë vazhdimisht: ‘uh uh uh, shko ha banane’”, – shkroi Balotelli. Futbollisti italian u shpreh i zhgënjyer, duke theksuar se nuk e kishte pritur një situatë të tillë në vendin ku po vazhdon karrierën e tij.
“Unë gjithmonë e dënoj çdo akt racizmi. Nuk e prisja këtu. Shpresoj që të merren masa serioze për të shmangur që kjo të përsëritet”, – shtoi ai. Prej pak ditësh, Balotelli është rikthyer në fushë pas një periudhe pa skuadër, duke firmosur me Al-Ittifaq në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ishte i lirë që nga viti i kaluar, pas një eksperience zhgënjyese te Genoa.
Në reagimin e tij, Balotelli theksoi se racizmi nuk ka vend as në futboll, as në shoqëri. Sipas tij, kjo sjellje nuk mund të konsiderohet normale dhe nuk duhet të justifikohet apo të injorohet. Sulmuesi sqaroi se foli hapur për të rritur ndërgjegjësimin, pasi ky problem prek jo vetëm atë, por çdo futbollist që ka përjetuar situata të ngjashme. “Tani mjaft, mjaft është mjaft”, – përfundoi Balotelli.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: