Roma rikthehet te fitorja me një paraqitje bindëse ndaj Cagliarit, duke konfirmuar forcën e saj në momentin vendimtar të sezonit.
Skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini dominoi sfidën nga minuta e parë, ndërsa protagonisti absolut ishte sulmuesi i ri, Donyell Malen.
Trajneri verdhekuq u shpreh shumë i kënaqur pas ndeshjes, duke vlerësuar ritmin dhe reagimin e ekipit pas humbjeve të fundit.
“Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Mund ta mbyllnim më herët, por skuadra tregoi karakter”, deklaroi ai.
Fjalë të veçanta pati për Malen, për të cilin tha se ishte i bindur për cilësitë e tij. “Do të shënojë shumë gola në këtë kampionat. Ka një repertor të gjerë dhe lëvizje inteligjente. Më kujton më shumë Viallin sesa Van Bastenin”, theksoi Gasperini.
Tekniku italian komentoi edhe mungesën e ndërhyrjeve nga VAR.
“Nuk pati asnjë ndërhyrje. Për mua kjo është maksimumi, do të thotë që arbitri i pa të gjitha episodet”, u shpreh ai.
Me këtë rezultat, Roma barazon Juven në vendin e katërt dhe tashmë përgatitet për supersfidën ndaj Napolit, me objektivin e qartë për të mbetur në garë për zonën Champions.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: