Valon Berisha tregon pse la Norvegjinë për Kosovën: Zgjodha zemrën dhe familjen

Valon Berisha tregon pse la Norvegjinë për Kosovën: Zgjodha zemrën dhe familjen

17:22, 11/02/2026

Mesfushori Valon Berisha ka folur hapur për vendimin e tij për ta lënë Norvegjinë dhe për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një zgjedhje të diktuar nga zemra, familja dhe rrënjët e tij.

Berisha vendosi t’i bashkohej Kosovës në nivel senior në një periudhë kur ishte pjesë e rëndësishme e përfaqësueses norvegjeze.

Ai numëron 20 paraqitje me Norvegjinë, ndërsa që nga viti 2016 ka zhvilluar 52 ndeshje me fanellën e Kosovës, duke realizuar katër gola.

Vendimi për të ndryshuar përfaqësuese nuk u kundërshtua nga Federata Norvegjeze, duke i hapur rrugë mesfushorit që të përfaqësojë vendin e prindërve të tij.

Në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit të tij të ri, Zurich, Berisha ka treguar arsyet që e shtynë drejt këtij hapi të rëndësishëm në karrierë.

“Dua të them se ishte familja ime arsyeja kryesore që vendosa. Prindërit e mi janë nga Kosova. Ishte një shtet i ri dhe një përfaqësuese e re. Doja të ndihmoja”, ka thënë ai.

“Norvegjia është një shtet i pasur, ndërsa Kosova një shtet i ri, i dalë nga lufta. Kam shumë familjarë atje dhe doja të ktheja diçka”, është shprehur Berisha.

Mesfushori ka kujtuar edhe disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, si në nivel përfaqësuesesh ashtu edhe në atë të klubeve.

Ai veçon dygolëshin ndaj Anglisë në humbjen 5-3 në Southampton, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, si një nga kulmet personale me Kosovën.

“Ishte një moment i madh për mua. Po ashtu arritja me Salzburgun në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Për një ekip austriak të arrijë deri në atë fazë ishte diçka e jashtëzakonshme. Por edhe të luash me Lazion ishte një moment i madh. Kam pasur shumë momente të mëdha në karrierë”, ka përfunduar Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco