Dinamo fiton derbin ndaj Tiranës, Vila dhe Bregu vendosin sfidën e parë çerekfinale

Dinamo fiton derbin ndaj Tiranës, Vila dhe Bregu vendosin sfidën e parë çerekfinale

15:25, 11/02/2026

Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, pasi mposhti 2-0 Tiranën në ndeshjen e parë të fazës çerekfinane. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja siguroi një avantazh të vyer, që i jep qetësi dhe epërsi psikologjike për takimin e kthimit, ku do të jetë pritëse.

Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me disa raste të mira për të dyja skuadrat. Dinamo u shfaq më kërkuese që në fillim, ndërsa rasti më i pastër erdhi në minutën e 19-të, kur një goditje e fuqishme nga distanca e Bregut u devijua nga Bekaj në traversë. Topi u kthye te Guindo, i cili i vetëm përballë portës çoi sferën jashtë në mënyrë të pabesueshme.

Edhe Tirana reagoi, me Ndong që në minutën e 18-të provoi me një goditje të fortë nga e majta, por gjeti përgjigjen e sigurt të Teqjes. Në fundin e pjesës së parë, sfida mbeti e hapur, por pa gola.

Në fraksionin e dytë, Dinamo shtoi presionin. Në minutën 63’, Vila dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të bukur nga e djathta, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.

Blutë nuk u dorëzuan dhe këmbëngulja u shpërblye në minutën e 76-të. Pas një aksioni të gjatë nga krahu i djathtë dhe dy goditjeve që përplasën shtyllën brenda pak sekondash, ishte Vila ai që shtyu topin në rrjetë, duke ndezur festën e dinamovitëve.

Tirana tentoi të reagonte në minutat e fundit, por pa arritur të ndryshonte fatin e sfidës, përkundrazi, më minutën e tretë shtesë Dejvi Bregu vulosi fitoren 2-0 të bluve.

Dinamo merr kështu një fitore të pastër dhe shumë të rëndësishme në derbi, duke shkuar në ndeshjen e kthimit me avantazh dhe me moral të lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco