Zvicra shënoi fitore të madhe në Super-Gjigantin për meshkuj me Franjo von Allmen, i cili fitoi medaljen e artë me kohën 1’25”32. Në vendin e dytë u rendit amerikan Ryan Cochran-Siegle, vetëm 13 të mijtat larg fituesit, ndërsa bronzin e mori një tjetër zviceran, Marco Odermatt (1’25”60). Për von Allmen, kjo është medalja e tretë e artë në tri gara të ndryshme olimpike në Milano-Cortina 2026, pas sukseseve në garat e lirë dhe të kombinuara.

Skiatori shqiptar pjesëmarrës në këtë garë, Denni Xhepa, u rendit në vendin e 34-t, me 6.40 sekonda më shumë se fituesi i garës. Nga 42 pjesëmarrës, pesë prej tyre nuk arritën të klasifikoheshin.
Xhepa do të vijojë aventurën e tij në këtë Olimpiadë edhe në dy disiplina të tjera: sllallomi gjigant dhe sllallom. Tri skiatoret e tjera pjesëmarrëse janë Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Italia zhgënjeu dhe nuk arriti të fitojë asnjë medalje në këtë disiplinë. Giovanni Franzoni përfundoi larg podiumit me kohën 1’25”95 (+0”63), ndërsa Dominik Paris humbi skinë e njërës këmbë dhe nuk arriti as të kalonte pikën e parë të matjes së kohës. Christof Innerhofer dhe Mattia Casse nuk u renditën as në dhjetëshen e parë, me Casse-n i distancuar më shumë se dy sekonda nga fituesi.
Kështu, Super-G për meshkuj vazhdon “mallkimin” e Italisë në këtë disiplinë: që nga prezantimi në Lojërat Olimpike Dimërore të Calgary 1988, Italia nuk ka arritur kurrë podiumin tek meshkujt. Në të njëjtën kohë, Zvicra feston dy medalje, duke konfirmuar dominimin e saj në këtë garë.


© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: