Harry Maguire duket gjithnjë e më pranë rinovimit me Manchester United. Mbrojtësi anglez, kontrata e të cilit skadon në fund të qershorit me një pagë prej rreth 180,000 paundë në javë, mund të zgjasë qëndrimin e tij në ‘Old Trafford’ edhe pas kësaj vere.
Që nga janari, Maguire është i lirë të negociojë me klube të tjera dhe gjatë javëve të fundit nuk kanë munguar interesimet nga jashtë. Mes klubeve që kanë kërkuar informacione janë Milani dhe Al Qadsiah, skuadër nga Saudi Pro League. Pavarësisht ofertave, qëllimi i mbrojtësit mbetet i qartë: të vazhdojë aventurën e tij me ‘Red Devils’.
Situata e Maguire është ndryshe nga ajo e Casemiro-s, i cili gjithashtu është në skadencë kontrate, por i destinuar të largohet. Qëndrimi i anglezit është ndikuar nga ardhja në stol e Michael Carrick, i cili e ka rikthyer atë në qendër të projektit teknik të klubit. Pas sezonesh të vështira dhe humbjes së shiritit të kapitenit, Maguire ka rikuperuar besimin dhe hapësirën, duke u kthyer në një pikë kyçe të mbrojtjes së United.
Klubi është gati të bëjë një ofertë në javët e ardhshme, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës së re. Për mbrojtësin, që afrohet në moshën 33-vjeçare, kjo do të ishte një konfirmim i rilindjes së tij të vërtetë në ‘Old Trafford’, pas një periudhe me ulje-ngritje.
Palët janë duke punuar tashmë dhe e ardhmja e Maguire mund të vazhdojë për një kohë të gjatë me fanellën e Manchester United, duke konfirmuar rolin e tij qendror në mbrojtjen e ‘Red Devils’.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: