Roberto De Zerbi nuk është më trajner i Olympique Marseille. Klubi francez ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen me marrëveshje të përbashkët të bashkëpunimit me teknikun italian, pas një nate të trazuar në kampin e OM.
Në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare, thuhet: “Olympique Marseille dhe Roberto De Zerbi, trajner i ekipit të parë, njoftojnë përfundimin e bashkëpunimit me marrëveshje të ndërsjellë”. Vendimi erdhi pas një takimi mes pronarit, presidentit, drejtorit sportiv dhe vetë trajnerit, ku u vendos për një ndryshim në drejtimin e skuadrës për të përballuar më mirë sfidat e mbetura të sezonit.
Klubi falënderoi De Zerbin për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, duke kujtuar vendin e dytë të arritur në sezonin 2024/25, dhe i uroi suksese në vazhdim të karrierës.
Ndarja vjen pas një serie rezultatesh zhgënjyese gjatë këtij sezoni. Eliminimi nga Champions League pas humbjes 3-0 ndaj Bruges kishte vënë në dyshim pozicionin e tij, por disfata e thellë 5-0 ndaj rivalëve historikë të PSG-së fundjavën e kaluar rezultoi vendimtare. Ajo humbje duket se ishte pika që derdhi kupën, duke çuar në mbylljen e aventurës së De Zerbit në “Velodrome”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: