Një tifoz i Manchester Unitedit, Frank Ilett, është kthyer në një personazh viral falë një sfide të pazakontë që i vendosi vetes më shumë se një vit më parë.
Në tetor të vitit 2024, Ilett vendosi të mos i priste flokët derisa skuadra e tij e zemrës të arrinte pesë fitore radhazi – një premtim që sot, pas gati 500 ditësh, është shumë pranë përmbushjes.
Manchester United hyn sonte në përballjen ndaj West Hamit me katër fitore radhazi, duke e vendosur tifozin anglez vetëm një hap larg prerjes së shumëpritur të flokëve.
Historia e tij ka tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha britanike, mes tyre edhe “The Independent”, i cili i ka kushtuar një artikull të veçantë këtij rrugëtimi unik.
Sfida e Ilett nisi fillimisht si një shaka, në një nga periudhat më të errëta të Unitedit në Premier League.
“Doja të përhapja pak humor dhe pozitivitet,” ka treguar 29-vjeçari, në një kohë kur skuadra po kalonte rezultate zhgënjyese dhe pasiguri të mëdha në pankinë. Askush nuk e mendonte se premtimi i tij do të zgjaste kaq gjatë.
Me kalimin e muajve, ndërsa humbjet e Unitedit vazhdonin, flokët e Ilett u rritën gjithnjë e më shumë, ashtu si edhe popullariteti i tij në rrjetet sociale.
Llogaritë e tij “The United Strand” në Instagram, TikTok, X dhe YouTube kanë grumbulluar mbi një milion ndjekës, duke tejkaluar në shifra edhe disa lojtarë të ekipit të parë të klubit.
Përtej aspektit argëtues, sfida e Ilett ka marrë edhe një dimension human.
Ai ka mbledhur fonde për organizata bamirëse si Mind dhe Little Princess Trust, ndërsa flokët e tij, pasi të priten, do të dhurohen për të krijuar paruke për fëmijë që humbin flokët si pasojë e sëmundjeve të rënda.
Edhe pse ka pasur edhe momente negative – përfshirë një incident në stadium ku iu tërhoqën flokët me forcë nga një tifoz – Ilett thotë se 99% e reagimeve kanë qenë pozitive.
Tashmë, me Michael Carrick në krye dhe fitore radhazi ndaj Manchester Cityt, Arsenalit, Fulhamit dhe Tottenhamit, Manchester United ka shansin të arrijë suksesin e pestë radhazi ndaj West Hamit.
Një fitore do të thotë jo vetëm vazhdim i ringritjes së klubit, por edhe fundi i një sfide 500-ditore për tifozin që u bë simbol i durimit dhe besnikërisë.
Për Frank Ilett, kjo do të ishte përmbyllja e një shakaje që u kthye në histori virale – dhe një prerje flokësh që tashmë ka një kuptim shumë më të madh se thjesht futbolli.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: