Albian Hajdari është sot një nga pikat e forta të Hoffenheimit në repartin difensiv.
Mbrojtësi 22-vjeçar, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ka folur së fundmi për kanalin zyrtar të klubit të Bundesligës, duke ndarë kujtime dhe reflektime nga rrugëtimi i tij në futboll.
Mes temave të trajtuara, Hajdari u ndal edhe tek eksperienca e tij te Juventusi, ku pati mundësinë të stërvitej përkrah disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë edhe Cristiano Ronaldon.
Edhe pse nuk arriti të debutonte me ekipin e parë të bardhezinjve, ai e cilëson atë periudhë si shumë të rëndësishme për formimin e tij personal.
“Juventusi? Nga perspektiva sportive nuk ishte një përvojë e mirë për mua, por si njeri ishte jashtëzakonisht e rëndësishme,” u shpreh Hajdari.
“Isha vetëm 18 vjeç. Një vend krejtësisht tjetër, kulturë tjetër, gjuhë e re dhe larg familjes. Nuk ishte aspak e lehtë për një adoleshent”.
Mbrojtësi pranon se në atë moshë ishte e vështirë të krijonte komunikim me yjet e mëdhenj të skuadrës, por thekson se ata e ndihmuan shumë, si në aspektin njerëzor ashtu edhe profesional.
“Si 18-vjeçar, thjesht shikon dhe rrallë gjen guximin të flasësh me lojtarë të nivelit botëror. Por ata më ndihmuan shumë, si person dhe si futbollist,” shtoi ai.
Një kujtim i veçantë për Hajdarin mbetet takimi dhe bashkëpunimi, qoftë edhe i shkurtër, me Cristiano Ronaldon.
“Ronaldo? Isha me shumë fat. Mund të them se isha bashkëlojtar i tij, edhe pse për një kohë shumë të shkurtër. Para stërvitjeve kishim gjithmonë seanca në palestër dhe shpesh ishim në biçikleta në të njëjtën kohë. Çdo mëngjes flisnim rreth 20 minuta për tema të ndryshme. Ishte një privilegj.”
Hajdari zbuloi gjithashtu një këshillë të veçantë që ka marrë nga ylli portugez.
“Ai ishte shumë me këmbë në tokë dhe i sinqertë. Më tha që duhet të përqendrohem vetëm te futbolli, sepse karriera zgjat për një kohë të caktuar. Duhet ta shfrytëzosh atë kohë për të investuar te vetja. Njerëzit dhe shokët vijnë e shkojnë, ndërsa gjëja më e rëndësishme është familja,” përfundoi Hajdari.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: