Conceiçao beson te kthesa: Është vetëm çështje kohe, dua të qëndroj gjatë te Juventusi

Conceiçao beson te kthesa: Është vetëm çështje kohe, dua të qëndroj gjatë te Juventusi

17:01, 10/02/2026

Sulmuesi anësor i Juventusit, Francisco Conceiçao, është i bindur se momenti i tij po afron dhe se golat do të vijnë së shpejti.

Portugezi ka theksuar se është “vetëm çështje kohe” para se të fillojë të shënojë rregullisht, ndërsa ka shprehur edhe dëshirën për të qëndruar për një kohë të gjatë në “Allianz Stadium”.

Ylli bardhezi ka folur për “Sportmediaset” në prag të një periudhe shumë të rëndësishme për Juventusin, që do të përballet fillimisht me Interin në Serie A dhe më pas me Galatasarayn në “play-off”-in e Ligës së Kampionëve.

“Duhet të bëjmë punën tonë. Duam të fitojmë dhe të tregojmë se jemi një ekip i madh,” u shpreh Conceiçao.

Anësori portugez pranoi se Interi po kalon një moment shumë pozitiv, por theksoi se Juventusi ka cilësinë e nevojshme për të dalë fitues nga kjo sfidë.

“E dimë që Interi është në formë shumë të mirë dhe po fiton ndeshje me lehtësi, por kemi cilësinë për të bërë mirë. Do të shkojmë atje për të fituar.”

Duke folur për Ligën e Kampionëve, Conceiçao e cilësoi atë si kompeticionin më prestigjioz në botë dhe nënvizoi rëndësinë e ndeshjes kundër Galatasarayt.

“Liga e Kampionëve është kompeticioni më i mirë në botë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër një ekipi të fortë, por minimumi që mund të bëjmë është të fitojmë dhe t’u bashkohemi klubeve më të mëdha.”

Juventusi vjen pas një periudhe jo të lehtë, me eliminimin nga Atalanta në Kupën e Italisë dhe barazimin 2-2 ndaj Lazios në kampionat, ku bardhezinjtë krijuan shumë raste, por u treguan jo konkretë para porte.

“Krijimi i rasteve shpesh është gjëja më e vështirë. Mua më kanë munguar golat që do ta ndihmonin ekipin, që është gjëja më e rëndësishme,” pranoi Conceiçao. “Mendoj se nëse vazhdoj kështu, është vetëm çështje kohe.”

Conceiçao ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhënë një asist në 18 paraqitje nën drejtimin e Luciano Spallettit, i cili mori drejtimin e Juventusit në fund të tetorit.

Megjithatë, bardhezinjtë janë ngjitur në renditje dhe aktualisht ndodhen në zonën “Champions”, ndërsa sulmuesi portugez beson se ekipi ka ende shumë për të dhënë.

“Më pëlqen mënyra si luajmë dhe mentaliteti që kemi për të fituar. Rezultatet flasin vetë, por e dimë që kemi potencial për të bërë shumë më tepër, përfshirë edhe mua.”

Në fund, Conceiçao konfirmoi dëshirën e tij për të qëndruar gjatë në Torino.

“Po, padyshim. Dua të qëndroj për shumë kohë, të fitoj trofe dhe të bëj gjëra të mëdha si me ekipin, ashtu edhe personalisht,” përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco