Paolo Tramezani emërohet trajner i ekipit të futbollit të femrave

Paolo Tramezani emërohet trajner i ekipit të futbollit të femrave

16:19, 10/02/2026

Paolo Tramezani është rikthyer në pankinë, duke nisur një aventurë të re në futbollin italian.

Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit te Kombëtarja e Shqipërisë gjatë Euro 2016 është emëruar trajner i ekipit të parë të femrave të klubit Como, një emër që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në futbollin italian vitet e fundit.

Edhe pse nuk do të drejtojë futbollin e meshkujve, Tramezani ka marrë përgjegjësinë për skuadrën e femrave dhe ka nisur menjëherë punën në stërvitje.

Trajneri italian është shprehur se ka zgjedhur Comon për të ndërtuar një projekt ambicioz dhe fitues, me synimin që edhe ekipi i femrave të ndjekë shembullin e suksesit të skuadrës së meshkujve, e drejtuar nga Çesk Fabregas, e cila po shkëlqen në Serinë A.

Prezantimi zyrtar i Tramezanit është bërë nga drejtori sportiv i futbollit të femrave te Como, shqiptari Miro Keci.

Ky i fundit ka prej vitesh në drejtim projektin e futbollit të femrave në klub dhe ka qenë ideatori i afrimit të trajnerit italian.

“E njoh Paolon që nga viti 2012, kur ishte zëvendëstrajner i Shqipërisë. E di shumë mirë mënyrën se si punon dhe si komunikon me sportistët. Ka një eksperiencë të madhe dhe në këtë moment kemi nevojë për një figurë me këto karakteristika”, u shpreh Keci gjatë prezantimit.

Me këtë emërim, Como synon të hedhë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit dhe rritjes së futbollit të femrave, duke besuar drejtimin e ekipit te një trajner me eksperiencë ndërkombëtare dhe njohje të mirë të realitetit italian.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco