Vllaznia fiton në Ballsh me një penallti, kualifikimi në çerekfinale edhe më pranë

Vllaznia fiton në Ballsh me një penallti, kualifikimi në çerekfinale edhe më pranë

15:31, 10/02/2026

Vllaznia hodhi një hap të madh drejt çerekfinales së Kupës së Shqipërisë, duke triumfuar 1-0 në fushën e Bylisit, në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ve.

Ndeshja nisi me ritëm të kujdesshëm, por edhe me tension. Në minutat 11’-12’, Bylisi fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Jukajt ndaj Sanogos, por vendimi u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje. Ky episod i dha më shumë besim Vllaznisë, që filloi të kërkonte më shumë në fazën sulmuese.

Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 28’, kur Bismark fitoi penallti në duelin me kapitenin Marku. Nga pika e bardhë u paraqit Kastrati, i cili u tregua i saktë dhe kaloi në avantazh kuqeblutë. Bylisi tentoi të reagonte, por pa krijuar raste të pastra shënimi, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1.

Në fraksionin e dytë, loja u fragmentua dhe rastet ishin të pakta. Tensioni u rrit në minutën e 47-të, ku Bismark dhe Marku u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Bylisi provoi disa herë nga distanca me Usman dhe Qaton, por portieri Jukaj u tregua i sigurt në çdo ndërhyrje. Nga ana tjetër, Vllaznia administroi avantazhin, duke bërë edhe disa ndryshime për të ruajtur freskinë dhe balancën e skuadrës.

Në minutat e fundit, Bylisi u përpoq të shtonte presionin dhe fitoi edhe goditje këndi, por mbrojtja shkodrane rezistoi pa shumë vështirësi. Një moment i veçantë për Vllazninë ishte rikthimi në fushë i Dros-it në minutën e 86-të, pas katër muajsh mungesë.

Pas katër minutave shtesë, sfida u mbyll me fitoren minimale 1-0 të Vllaznisë, një rezultat shumë i vlefshëm në transfertë. Me këtë sukses, kuqeblutë janë me një këmbë në çerekfinale dhe do ta presin ndeshjen e kthimit me qetësi dhe avantazh të dukshëm. Fitorja në Ballsh e afron Vllazninë shumë pranë çerekfinales së Kupës së Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco