E ardhmja e Harry Kane po kthehet në një temë delikate për Bayernin. Sulmuesi anglez 32-vjeçar ka në kontratën e tij një klauzolë largimi që mund të aktivizohet gjatë verës, duke i lejuar largimin nëse një klub paguan 65 milionë euro.
Lidhur me këto zëra, ka reaguar drejtori sportiv i Bayern-it, Max Eberl, i cili ka theksuar se klubi është në komunikim të vazhdueshëm me sulmuesin anglez.
“Nuk mund të konfirmoj thashethemet se dikush po përgatit diçka. Ajo që mund të them është se jemi në kontakt të ngushtë me Harry-n për të ardhmen e tij dhe për suksesin e klubit. Hapat e radhës do të vijnë më pas,” deklaroi Eberl në konferencë për shtypin, para ndeshjes çerekfinale të Kupës së Gjermanisë ndaj Leipzig-ut.
Kontrata e Kane me Bayern-in është e vlefshme deri në vitin 2027, por sipas medieve gjermane, klauzola e largimit nuk ka skaduar në fund të janarit dhe mbetet aktive deri në fund të shkurtit. Përveç një rikthimi të mundshëm në Premier League, në prapaskenë përmendet edhe interesim nga Arabia Saudite.
Në fund të janarit, Eberl kishte konfirmuar se ka pasur bisedime me Kane: “Më është bërë pyetja dhe kam thënë se po flasim. Nuk kam thënë se po negociojmë. Negociatat ende nuk kanë nisur.”
Klauzola e Kane mban në ankth Bayern-in, ndërsa e ardhmja e ‘bomberit’ anglez mbetet e hapur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: