Me sytë e gjithë kombit të drejtuar nga Lojërat Olimpike Dimërore, Shqipëria mban frymën për një rezultat historik, me shpresa të mëdha të varura te talenti i jashtëzakonshëm i skiatores Lara Colturi. Në një bisedë me gazetarin Flavio Qarri, President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, zbuloi jo vetëm optimizmin për ekipin, por edhe prapaskenat dhe sfidat që kanë shoqëruar rrugëtimin e sportistëve kuqezi.
Ylli theksoi se Lojërat Dimërore kanë zgjuar një interes të paparë te publiku shqiptar, duke i parë ato jo vetëm si një garë sportive, por edhe si një mundësi të artë për të ngritur flamurin shqiptar.
“Lojërat dimërore janë një event i jashtëzakonshëm në të gjithë botën, sepse nuk ka të bëjë vetëm me sportin, por edhe me turizmin. Dhe ne, si Komitet Olimpik, duke e pasur një kampione si Lara Colturi, jemi munduar që të bëjmë një memorandum bashkëpunimi me Komitetin Olimpik Austriak, që Shqipëria të bëhet me një pistë me standarde europiane për sa u përket skive, pasi jemi vendi i vetëm në në Europë që i kemi 2/3 male dhe nuk kemi një pistë skish. 700.000 shqiptarë lënë Shqipërinë për të shkuar në malet e Maqedonisë, Malit të Zi, Italisë, Zvicrës, Francës. Dhe këtë shpresë na e ka dhënë Lara Colturi, nëpërmjet jush, medieve, që i keni bërë një promovim shumë të mirë gjashtë podiumeve që ajo ka marrë. Shqipëria është futur në hartën e të sportistëve elitarë në botë që pretendojnë të marrin medaljen e parë olimpike ndonjëherë dimërore”, deklaroi fillimisht Ylli.
A do të ketë fatin Shqipëria të ngjitet në podium në Lojërat Dimërore?
Në lojërat e 2022-shit, tri herë kampionia olimpike, Shifrin, në të tria garat ka dalë jashtë gare. Gara e skive kërkon gjendje psikologjike. Për shembull, pardje është rrëzuar një amerikane (Lindsey Vonn), pavarësisht se është 40 vjeçe. Është tri herë kampione olimpike. Pra sporti i skive është një sport aq sa i bukur, po aq dhe i rrezikshëm dhe kërkon shumë vëmendje dhe anën psikologjike që ti të jesh në një potencial të mirë mendor, që ta përfundosh garën me rezultat të lartë. Unë mendoj që Lara Colturi një vit të tërë ka performuar jashtëzakonisht mirë dhe të mos harrojmë që është vetëm 19 vjeçe. Që do të thotë që garon me sportiste 30, 35 dhe 40-vjeçare, që kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme. Komiteti Olimpik Italian na ka kërkuar përpara gjashtë muajsh që Lara Colturi të kthehet tek Italia. I kemi thënë që Lara Colturin ne e kemi marrë 14 vjeçe e gjysmë. Nuk ka qenë kampione, ka pasur nënën e vet kampione olimpike për Italinë, por Lara Colturi u bë kampione për Shqipërinë. Nuk e morëm gati, pra u bë. Ministria i dha një buxhet goxha të mirë që të stërvitej për këto lojëra olimpike dhe ajo tashmë përfaqëson Shqipërinë. Por sportistët, sot, si në të gjithë botën, në rast se një vit nuk bëjnë me Shqipërinë, kanë të drejtë të ikin. Është liberalizuar shumë lëvizja e sportistëve në të gjithë botën.”
Por si mund të motivohet një sportiste që të japë maksimumin për Shqipërinë kur asnjë nga prindërit nuk i ka shqiptarë?
“Lara Colturi është një italiane, garon për Shqipërinë, ashtu siç kanë garuar Pirro Dhima, Luan Shabani, Jorgo Xhelili, Viktor Mitro për Greqinë. Nja 37 medalje olimpike i kanë ikur Shqipërisë për vende të tjera mbas viteve '90. Tani Shqipërisë jo vetëm që nuk i ikin më sportistë për të garuar për një flamur tjetër, por kanë ardhur sportistë, jo vetëm nga vendet e lindjes, por dhe nga Italia. Kemi dy suedezë që kanë bërë kërkesë në Federatën e Pingpongut, kemi shahistë, kemi xhudistë që duan të vijnë se ligji shqiptar është nga më të mirët në botë. Secili e di vetë se çfarë ndien. Me performancën e tyre ne kemi mundësi të promovojmë një sport, siç është sporti i skive. E kemi ëndërr një pistë skish, që të kemi mundësi që të trajnojmë dhe shumë të rinj që vijnë qoftë nga Kukësi, qoftë nga Tirana apo nga vende të tjera që e duan sportin e skive, që ne në fund të fundit të nxjerrim dhe kampionë shqiptarë, të mos e bazojmë vetëm tek të huajt që ne na vijnë.”
Shqipëria në këtë, në këto lojëra olimpike përfaqësohet me katër sportistë që janë të kualifikuar...
Renditja në ranking-listën botërore e Lara Colturit ka tërhequr me vete dhe dy vajza të tjera, Semirde Dautin, që jeton në Itali ( është një vajzë shqiptare nga Maqedonia e Veriut), por edhe Liza Brungën, që jeton në Kanada. Është një vajzë nga Lezha, e ka të atin avokat. dhe ka shprehur dëshirën të përfaqësojë Shqipërinë. Denis Xhepa është 23 vjeç, është një sportist që është kualifikuar, është te 30 më të mirët e botës. Me Deni Xhepën kam një qejfmbetje, sepse ne kemi bërë një memorandum bashkëpunimi me Komitetin Olimpik Austriak, ku zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Austriak, Peter Schröcksnadel, është një bilioner dhe ka nëntë pista skish të vetat, private.
Ne e kemi ftuar në Shqipëri që të investojë dhe ai nga këto marrëdhënie të mira që ne kemi na mori në resortin e tij Lara Colturin, Deni Xhepën dhe Klevin Qerimin, u vuri në dispozicion trajnerin më të mirë në botë, përgatitësin më të mirë të skive, psikologun më të mirë. Të gjitha pagesat shkonin mbi 250,000 dollarë. Dhe ata, një ditë të bukur, mbas tri javësh, na e lanë grumbullimin dhe ikën përsëri në Itali. Është e pafalshme, sepse sot Denis Xhepa do të ishte pretendent për të marrë medaljen olimpike. Është një sportist talent, por si duket, ndikimi i të vëllait, që është trajneri i vet... I tha 'lëre Austrinë'. Ai na e la grumbullimin përgjysmë dhe iku në Itali. Unë mendoj që janë papjekuritë e këtij sportisti dhe trajnerit të vet, sepse sot do të flisnim ndryshe. Do të flisnim jo vetëm për Larën, por do të flisnim dhe Denin pretendent dhe Klevin Qerimin që na u dëmtua disa muaj më parë. Dhe ne kemi përfunduar me katër sportistë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: