Jannik Sinner ka treguar edhe një herë anën e tij njerëzore, duke i dërguar një mesazh prekës amerikanes Lindsey Vonn pas dëmtimit të rëndë që skiatorja amerikane pësoi gjatë garës olimpike në Cortina. Tenisti italian publikoi në rrjetet sociale fjalët “Po të mendoj”, të shoqëruara me një ‘emoji’ të trishtuar dhe duar të bashkuara në shenjë lutjeje, një gjest i thjeshtë por me domethënie të fortë.
Lindsey Vonn, 41 vjeçe, u dëmtua rëndë gjatë zbritjes olimpike dhe iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të një frakture në këmbën e majtë. Aktualisht ajo ndodhet e shtruar në spital në Treviso, ku po vijon fazën e parë të rikuperimit.
Mesazhi i Sinner nuk është rastësor. Lidhja mes dy sportistëve të mëdhenj daton që nga viti 2021, kur ata u takuan për herë të parë gjatë US Open. Që prej asaj kohe, raporti i tyre është forcuar, i bazuar në respekt të ndërsjellë dhe në një të kaluar të përbashkët në botën e skive, pasi edhe vetë Sinner ka ardhur nga ky sport përpara se t’i përkushtohej tenisit.
Vetë Vonn, vitin e kaluar, kishte folur me superlativa për italianin në ATPTour.com, duke e quajtur “një person special”, të butë, shumë të përulur dhe gjithmonë të sjellshëm, si dhe duke shprehur bindjen se karriera e tij sportive do të ishte shumë e gjatë.
Miqësia e tyre u bë edhe më e dukshme në finalen e US Open 2025, ku Vonn ishte e pranishme në “box”-in e Sinner-it, gjatë ndeshjes së fituar nga Carlos Alcaraz. Një raport i sinqertë, që në momente të vështira shfaqet me gjeste të vogla, por shumë domethënëse. Mesazhi i Sinner për Lindsey Vonn tregon një miqësi të fortë përtej sportit.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: