Situata e Dani Carvajal te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më delikate, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë psikologjik. Edhe pse në klub ende nuk flitet hapur për një çështje “Carvajal”, prapa skenave dosja është e hapur dhe shqetësimet janë reale.
Mbrojtësi i djathtë po kalon ditë të vështira, sidomos pas ndeshjes në ‘Mestalla’, ku jo vetëm që nuk ishte titullar, por as nuk u aktivizua apo u ngroh, ndërsa përpara tij në hierarki u vendosën David Jiménez dhe Trent Alexander-Arnold, ky i fundit i rikthyer pas një dëmtimi të gjatë. Ky fakt e ka goditur fort Carvajal-in, i cili sapo është kthyer nga operacioni në gju dhe ka luajtur vetëm pak minuta në dy ndeshje.
Carvajal e pranon konkurrencën dhe disa zgjedhje të stafit teknik, por e ka të vështirë të kuptojë pse nuk konsiderohet fare si opsion, ndërkohë që ai vetë ndihet fizikisht gati për të luajtur dhe për të luftuar për vendin e titullarit. Ndërsa trajneri Arbeloa vlerëson rolin e tij si kapiten dhe figurë e rëndësishme e dhomës së zhveshjes, ekziston frika se aktivizimi i tij që nga minuta e parë mund të sjellë rrezik dëmtimi.
Një tjetër shqetësim madhor është Botërori. Carvajal e di se kjo mund të jetë mundësia e fundit me Spanjën dhe pa minuta të rregullta, konkurrenca e fortë mund ta nxjerrë jashtë planeve të kombëtares. Në të njëjtën kohë, ai dyshon edhe për të ardhmen e tij te Real Madridi, pasi nuk pret ofertë rinovimi, duke parë precedentët e lojtarëve të tjerë.
E gjithë kjo ka krijuar një ngarkesë emocionale të madhe dhe ndjesinë se Carvajal po jeton një nga momentet më të vështira të karrierës së tij në Madrid.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: