Skandal në Olimpiadë? Medaljet po dëmtohen, organizatorët hapin hetim urgjent

Skandal në Olimpiadë? Medaljet po dëmtohen, organizatorët hapin hetim urgjent

20:11, 09/02/2026

Drejtuesit e Lojërave Olimpike Dimërore “Milan–Cortina 2026” kanë nisur një hetim të brendshëm, pasi disa atletë fitues kanë raportuar probleme serioze me cilësinë e medaljeve olimpike, vetëm pak çaste pas ceremonive të ndarjes së çmimeve.

Alarmi u ngrit fillimisht nga dy medaliste të arta të SHBA-së, Breezy Johnson dhe Alysa Liu.

Johnson, e cila triumfoi në zbritjen e ski alpinit për femra, u shfaq në konferencën për shtyp duke treguar se shiriti i medaljes ishte shkëputur menjëherë.

“Ja ku është medalja. Dhe ja ku është shiriti”, u shpreh ajo, duke ekspozuar pjesën e thyer.

Nga ana tjetër, Alysa Liu, fituese e medaljes së artë në garën ekipore të patinazhit artistik, reagoi në rrjetet sociale duke postuar një video ku medalja dhe shiriti shfaqeshin të ndara, me mbishkrimin ironik: “Medalja ime nuk ka nevojë për shirit”.

Probleme të ngjashme janë konstatuar edhe tek ekipi gjerman i biatlonit, i cili fitoi medaljen e bronztë.

Në një video të publikuar në Instagram, shihet qartë se medalja bie nga shiriti gjatë festimeve në hotel.

Drejtori i operacioneve të Lojërave, Andrea Francisi, reagoi duke deklaruar: “Jemi plotësisht të vetëdijshëm për situatën dhe po shqyrtojmë me kujdes se cili është problemi. Medaljet janë një nga momentet më të rëndësishme për atletët dhe do t’u kushtojmë vëmendje maksimale.”

Një zëdhënës i Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së konfirmoi për BBC Sport se po presin një zgjidhje nga organizatorët, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse atletët do të marrin medalje zëvendësuese.

Ky nuk është rasti i parë që cilësia e medaljeve olimpike vihet në diskutim. Që nga shkurti i vitit 2025, janë paraqitur 220 kërkesa për zëvendësim medaljesh të fituara në Paris 2024, për shkak të konsumimit dhe zbehjes – rreth 4% e totalit të medaljeve.

Zhytësja britanike Yasmin Harper, e cila fitoi medaljen e parë olimpike për ekipin e saj në Paris, kishte raportuar gjithashtu se medalja e saj po shfaqte shenja të dukshme zbehjeje. Organizatorët e Paris 2024 kishin garantuar se çdo medalje e dëmtuar do të zëvendësohej.

Tashmë, vëmendja është e gjitha te Milan–Cortina 2026, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky problem do të zgjidhet shpejt apo do të kthehet në një tjetër njollë për imazhin olimpik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco