Cristiano Ronaldo do të rikthehet sërish në dispozicion të Jorge Jesus te Al Nassr, pas një periudhe tensioni që e mbajti jashtë fushës në ndeshjet ndaj Al Riyadh dhe Al Ittihad.
Sipas raportimeve të NOW, superylli portugez dhe drejtuesit e Al Nassr zhvilluan bisedime të nivelit të lartë me PIF (Public Investment Fund), fondin sovran saudit që financon klubet kryesore të ligës. Në këtë takim u zgjidhën çështjet kryesore që kishin shkaktuar pakënaqësinë e Ronaldos.
Burimet bëjnë me dije se të gjitha pagat e prapambetura janë shlyer, ndërsa PIF ka transferuar fondet e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e klubit deri në fund të sezonit. Një tjetër pikë kyçe ishte rikthimi i autoritetit të Jose Semedos brenda klubit, një figurë shumë e afërt me Ronaldon.
Këto zhvillime kanë bërë që 41-vjeçari të heqë dorë nga refuzimi për të luajtur dhe të rikthehet në skuadër, megjithëse ende ekzistojnë shqetësime lidhur me mungesën e investimeve në merkaton e dimrit, sidomos krahasuar me rivalët e Al Hilal, liderët aktualë të kampionatit.
Me situatën e stabilizuar, Ronaldo pritet të startojë titullar ndaj Al Fateh, në javën e 22-të të kampionatit saudit. Ndërkohë, në ndeshjen e radhës ndaj Arkadag nga Turkmenistani, në kuadër të 1/8-ave të AFC Champions League 2, kapiteni portugez pritet të menaxhohet fizikisht dhe të mos aktivizohet maksimalisht.
Rikthimi i Ronaldos jo vetëm që forcon Al Nassr në fushë, por tregon edhe një herë peshën e jashtëzakonshme që ai ka brenda projektit saudit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: