Dro Fernandez ka pritur me durim shansin e tij dhe ai moment erdhi pikërisht në ndeshjen më të madhe të futbollit francez. Mesfushori ofensiv spanjoll, i lindur në vitin 2008, bëri debutimin me fanellën e Paris Saint-Germain në “Le Classique” ndaj Marseille, duke u aktivizuar në fitoren e thellë 5-0 në “Parc des Princes”.
I konsideruar prej vitesh si një nga talentet më premtues të La Masia-s, Dro vendosi të largohej nga Barcelona gjatë merkatos së janarit për të nisur një aventurë të re në Francë, i bindur nga projekti i PSG-së dhe sidomos nga figura e Luis Enrique-s. Trajneri spanjoll i besoi minuta në një ndeshje simbolike, duke konfirmuar vëmendjen e tij ndaj të rinjve.
Pas ndeshjes, 17-vjeçari u shfaq i emocionuar dhe falënderues: “Jam shumë i lumtur. Që nga dita e parë shokët e skuadrës më kanë ndihmuar shumë dhe jam ndier menjëherë rehat. Të luash në ‘Parc des Princes’ është diçka e pabesueshme”.
Dro foli edhe për përshtatjen në Paris: “Është një vend i ri dhe jam ende i ri, por klubi ka bërë gjithçka për të ma lehtësuar integrimin. Ndihem sikur jam këtu prej kohësh”.
Fjalë të veçanta kishte për Luis Enrique-n: “Është një trajner i jashtëzakonshëm dhe një nga arsyet kryesore pse zgjodha PSG-në. Ai beson shumë te të rinjtë”.
Në fund, mesazhi ishte i qartë: “Dua të rritem dhe të vazhdoj të punoj. Nuk kam nxitim, por besoj se PSG është vendi më i mirë për mua”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: