Joan Laporta, në prag të përfundimit të mandatit dhe me zgjedhjet e 15 marsit që afrohen, bëri një bilanc të qartë mbi pozicionin aktual të Barcelonës në skenën europiane, duke theksuar se klubi ka rifituar respektin dhe prestigjin e humbur në institucionet e futbollit. Gjatë një prononcimi për “Barça One”, presidenti katalanas u ndal veçanërisht te tërheqja përfundimtare nga Superliga, një projekt ku Barcelona kishte qenë ndër nxitëset kryesore.
Laporta pranoi se Superliga, e shpallur në ditët e fundit të mandatit të Josep Maria Bartomeu-t, tashmë i përket së kaluarës. “Ishte një projekt që po shpërbëhej, nuk kishte më bazë për t’u zbatuar dhe po na sillte më shumë kosto sesa përfitime. Me këtë vendim, jemi kthyer në familjen e futbollit”, u shpreh ai.
Presidenti theksoi se rruga e Barcelonës ka qenë gjithmonë ajo e respektit dhe bashkëpunimit, edhe pse nuk munguan përplasjet me LaLiga-n, veçanërisht për çështjet e kontrollit ekonomik dhe interpretimin e rregulloreve. Sipas Laportës, sot situata ka ndryshuar: “Ka normalitet, dialog dhe mirëkuptim. Kur ka pasur nevojë, ne kemi kontribuar”.
Marrëdhëniet me Federatën Spanjolle janë përshkruar si korrekte, me komunikim të vazhdueshëm, ndërsa kapitulli i tensioneve me UEFA-n konsiderohet i mbyllur. Sa i përket Real Madridit, Laporta pranoi se raporti mbetet i ftohtë, por kjo, sipas tij, ka qenë gjithmonë një gjendje e vazhdueshme.
Objektivi i radhës për Barcelonën është i qartë: të kontribuojë nga brenda për një futboll europian më të qëndrueshëm dhe më të drejtë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: