Ka një moment që Lorenzo Pellegrini e mban të gdhendur përgjithmonë në mendje dhe ai lidhet drejtpërdrejt me Tiranën. Më 25 maj 2022, Roma mposhti Feyenoordin 1-0 dhe ngriti në kryeqytetin shqiptar trofeun e Conference League, duke shkruar një faqe historike për klubin verdhekuq. Pikërisht atë kupë e ngriti lart kapiteni romanist, një çast që për të mbetet kulmi emocional i karrierës me fanellën e zemrës.
Duke rikujtuar atë moment për kanalet zyrtare të klubit, Pellegrini u shpreh me emocione të forta: “Kjo foto është histori dhe do të mbetet e tillë përgjithmonë. Kjo ishte ëndrra ime e vërtetë. Kur e kuptova se nuk ishte ëndërr të luaja për Romën dhe se isha zgjuar, ky ishte objektivi im i vogël, por më i rëndësishëm: të gëzoja, të fitoja një trofe dhe të ngrija një Kupë me këtë fanellë mbi zemër”.
Mesfushori theksoi se, pavarësisht golave në derbi apo arritjeve personale, asgjë nuk e kalon atë mbrëmje në Tiranë: “Kjo është dhe do të mbetet gjithmonë fotografia që më emocionon më shumë”.
Në prag të arritjes së 300 paraqitjeve me Romën, Pellegrini shpjegoi se çfarë do të thotë të veshësh ngjyrat verdhekuqe: “Kur fillon të luash këtu, ndihesh sikur je brenda një flluske, si në një ëndërr. Mendon se do të zgjohesh, por më pas kupton se je tashmë zgjuar dhe duhet ta jetosh gjithçka 100%”.
Dhe kështu ka bërë kapiteni i Romës: mes gëzimeve dhe dhimbjeve, duke dhënë gjithmonë maksimumin për fanellën që përfaqëson dashurinë e tij më të madhe. Tirana mbetet simboli i ëndrrës së realizuar të Lorenzo Pellegrinit me Romën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: