Vetëm pak ditë pas mbërritjes së tij në formë huazimi te Girona, Marc-André ter Stegen është detyruar të ndalet sërish për shkak dëmtimi. Portieri gjerman, 33 vjeç, u lëndua gjatë ndeshjes kundër Real Oviedos, e humbur 0-1, dhe tashmë do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, siç ka bërë të ditur klubi katalanas përmes një komunikate zyrtare.
Sipas njoftimit të Gironës, ter Stegen do të operohet të premten e ardhshme pas dëmtimit në tendinën e Akilit të këmbës së majtë. Kohëzgjatja e mungesës së tij do të përcaktohet vetëm pas operacionit, por sinjalet e para flasin për një ndalesë të gjatë. Një goditje e rëndë për Gironën, që mbetet pa portierin e saj të ri praktikisht menjëherë pas afrimit, por edhe për Kombëtaren e Gjermanisë, e cila shpresonte në rikthimin e tij për të stabilizuar repartin e portës në prag të Kupës së Botës.
Dëmtimi i pësuar të shtunën e kaluar kundër skuadrës së fundit në renditje prek zonën e pasme të këmbës së majtë dhe kërkon kujdes maksimal, sidomos duke parë historikun fizik të lojtarit. Vetëm pas ndërhyrjes kirurgjikale do të bëhet i ditur afati i saktë i rikuperimit.
Situata e ter Stegen ndiqet me vëmendje edhe nga Barcelona, klubi të cilit i përket kartoni i tij dhe që aktualisht drejtohet nga Hansi Flick, jo vetëm për perspektivën e së ardhmes së portierit, por edhe për pasojat që ky dëmtim mund të ketë në nivel kombëtar. Në këtë moment, prioriteti mbetet shërimi i plotë, por rreziku i humbjes së Botërorit është real.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: