Napoli dhe tifozët e tij kanë përjetuar orë ankthi, përpara se situata e Giovanni Di Lorenzo-s të qartësohej, edhe pse me një lajm aspak të lehtë për t’u përtypur. Fillimisht frika e madhe për dëmtimin në gju, me Antonio Conte-n që foli hapur për rrezik të këputjes së ligamentit të kryqëzuar, më pas lehtësimi pas ekzaminimeve mjekësore, të cilat parashikonin një mungesë rreth një muaji e gjysmë. Një diagnozë që kishte bindur Napolin të mos ndërhynte në atë rol në ditët e fundit të merkatos.
Por sot, si një rrufe në qiell të pastër për tifozët “azzurrë”, klubi ka bërë të ditur se kapiteni do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbën e majtë, “për të zgjidhur një problematikë të mëparshme”. Lajmi është konfirmuar përmes një komunikate zyrtare në faqen e klubit, ku sqarohet se vendimi është marrë në marrëveshje të plotë me lojtarin dhe lidhet me kohët e rikuperimit nga dëmtimi në gju.
Operacioni në këmbë ishte i pashmangshëm, pasi Di Lorenzo ka luajtur për rreth gjashtë muaj me dhimbje të forta, duke e përkeqësuar gjendjen për të mos e lënë skuadrën në një moment delikat. Rikthimi në fushë, edhe pse do të kërkojë sakrifica të mëdha, pritet ende brenda një muaji e gjysmë. Një afat që e shpreson edhe Gennaro Gattuso, i cili e ndjek me vëmendje situatën në prag të “playoff”-eve për kualifikimin në Botëror.
Vetë Di Lorenzo ka reaguar me një mesazh prekës, duke falënderuar tifozët për mbështetjen dhe duke premtuar se do të bëjë gjithçka për t’u rikthyer sa më shpejt, në kushtet më të mira të mundshme, për të mbrojtur fanellën e Napolit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: