Super Bowl 2026 do të zhvillohet natën mes 8 dhe 9 shkurtit, duke kulmuar me edicionin e 60-të të finales së NFL-së, Super Bowl LX.
Në këtë duel spektakolar do të përballen New England Patriots dhe Seattle Seahawks, duke rikthyer një nga rivalitetet më të kujtuara të viteve të fundit, ashtu si në finalen e vitit 2015.
Por çfarë është Super Bowl? Ai përfaqëson kulmin e sezonit të futbollit amerikan, një ndeshje teke ku vendoset titulli kampion i NFL-së mes fitueseve të dy Konferencave. Nga një akt sportiv përmbyllës, Super Bowl është shndërruar me kalimin e viteve në një festë kombëtare jozyrtare në SHBA, e njohur si “Super Bowl Sunday”.
Në këtë ditë, vendi duket sikur ndalon: familje, miq dhe tifozë mblidhen në shtëpi apo lokale për të ndjekur një event që është bërë sinonim i ekselencës sportive, patriotizmit dhe spektaklit. Super Bowl nuk është thjesht një ndeshje, por një fenomen kulturor global.
Një rol të madh në këtë magji luan edhe Halftime Show, koncerti i famshëm në pushimin e ndeshjes, ku performojnë yjet më të mëdhenj të muzikës botërore.
Po aq vëmendje marrin edhe spotet publicitare, të realizuara enkas për këtë ngjarje dhe ndër më të shtrenjtat në historinë e televizionit.
Super Bowl LX do të luhet më 9 shkurt 2026, në orën 00:30 sipas orës shqiptare, në “Levi’s Stadium” në Santa Clara, Kaliforni.
Spektakli i hapjes do të jetë në duart e grupit legjendar punk rock Green Day, ndërsa në Halftime Show do të performojë Bad Bunny. Himnin amerikan do ta këndojë Charlie Puth, ndërsa “America The Beautiful” do të interpretohet nga Brandi Carlile.
Super Bowl LX premton jo vetëm një finale të madhe sportive, por edhe një spektakël global të padiskutueshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: