Barcelona arriti të kualifikohej jo pa vështirësi në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, pasi mposhti Albaceten me rezultat 2-1 në transfertë.
Goli i parë erdhi në minutën e 39-të të pjesës së parë. Një kombinim i shkëlqyer mes Frenkie de Jong dhe Lamine Yamal i dha këtij të fundit mundësinë për të gjuajtur nga afër zonës. Yamal nuk e humbi shansin dhe vendosi rezultatin në 0-1.
Në fillim të pjesës së dytë, Barcelona bëri ndryshimin e parë, duke hedhur Pau Cubarsi në fushë në vend të Joao Cancelo-s.
Goli i dytë për "blaugranat" erdhi në minutën e 56-të. Pas një krosimi të Marcus Rashford, Ronald Araujo goditi saktë me kokë në mes të portës, duke dyfishuar epërsinë.
Përpjekjet e Albacetes për të shkurtuar distancën u ndalën në minutën e 84-të, kur një gol i shënuar nga Jefte Betancor u anulua për pozicion jashtë loje.
Megjithatë, në minutën e 87-të, goditja e lirë e Jose Lazo-s (i cili sapo kishte hyrë në fushë) gjeti kokën e Javi Moreno-s, i cili realizoi një gol të shkëlqyer, 1-2.
U duk se Barcelona mbylli çdo diskutim kur në minutën 90+1', Ferran Torres shënoi golin e tretë, por ndërhyrja e VAR-it, duke e anuluar por pozicion jashtë loje, e mbajti ndeshjen të hapur deri në sekondat e fundit. Festa në fund ishte për skuadrën e Hansi Flick, që i gëzohet një kualifikimi jo pak të vështirë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: