Portugalia po përballet me pasoja të rënda pas kalimit të stuhisë “Christine”, e cila ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje në njerëz gjatë ditëve të fundit.
Përballë kësaj situate dramatike, Benfica ka reaguar menjëherë, duke shprehur publikisht solidaritetin e saj me popullin portugez dhe me të gjitha komunitetet e prekura nga kjo emergjencë klimatike.
Klubi i Lisbonës ka publikuar një deklaratë zyrtare, ku thekson rëndësinë e unitetit kombëtar në momente kaq të vështira dhe angazhimin e tij për të qenë pranë qytetarëve që po përjetojnë pasojat më të rënda të motit ekstrem.
Përmes Fondacionit Benfica, klubi bardhekuq ka deklaruar gatishmërinë për të mobilizuar menjëherë mallra thelbësore dhe burime logjistike, me qëllim mbështetjen e zonave më të goditura.
Ndihma do të organizohet në bashkëpunim të ngushtë me forcat e sigurisë dhe agjencitë kombëtare të emergjencës, në mënyrë që të sigurohet shpërndarje e shpejtë dhe efikase e ndihmave për familjet që kanë humbur gjithçka.
Benfica ka shprehur gjithashtu ngushëllimet më të thella për viktimat e konfirmuara dhe ka riafirmuar përkushtimin për të mbështetur mijëra persona që po përballen me vështirësi të mëdha.
Sipas autoriteteve portugeze, bilanci i Stuhisë Christine është alarmant.
Mot i keq, që goditi vendin gjatë natës, ka shkaktuar të paktën pesë viktima dhe ka lënë rreth 450 mijë banesa pa energji elektrike.
Këto shifra janë konfirmuar për AFP nga një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (ANPEC).
Në këtë kontekst, angazhimi i Benfikës shihet si një shembull solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore në një moment kritik për Portugalinë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: