Në pjesën e tretë të intervistës së tij në emisionin “(Pa) Dështimi i Kampionit” në Arena Sport, Zlatan Ibrahimovic ka folur hapur për një nga temat që prej vitesh ka ngjallur debat mes tifozëve të futbollit në Ballkan: mundësinë që ai të kishte veshur fanellën e përfaqësueses së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ibrahimovic, i cili ka origjinë boshnjake dhe kroate, zbuloi se në fillimet e karrierës së tij kishte pasaporta të dyfishta, atë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Suedisë.
Megjithatë, vendimi i tij përfundimtar ishte i qartë.
“Unë kisha pasaportë të Bosnjës dhe të Suedisë, por zgjodha të luaja për Suedinë, sepse ata më donin. Nga Bosnja nuk më pyeti askush konkretisht, nuk kishte kurrë diçka specifike apo një ftesë të drejtpërdrejtë”, u shpreh ish-sulmuesi legjendar.
Ai shtoi se situata kishte qenë e ngjashme edhe me Kroacinë, vendin nga i cili vjen nëna e tij.
Sipas tij, edhe nga përfaqësuesja kroate nuk kishte pasur një kontakt serioz apo një përpjekje të qartë për ta bindur.
“Nëse do të më kishin pyetur nga Kroacia, mendoj se do të kisha arritur të fitoja diçka të madhe me ta, ndoshta Kampionatin Evropian apo edhe Kupën e Botës”, deklaroi Zlatan, duke lënë të kuptohet se karriera e tij ndërkombëtare mund të kishte marrë një drejtim krejt tjetër.
Në fund, Ibrahimovic theksoi se zgjedhja e Suedisë ishte bërë mbi bazën e besimit dhe vlerësimit që kishte ndier në atë moment, një vendim që do të shënonte përgjithmonë historinë e tij si një nga figurat më ikonike të futbollit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: