Lamtumirë Nicolas Giani! Ndahet nga jeta ish-kapiteni i Spal-it dhe heroi i ngjitjes në Serie A

Lamtumirë Nicolas Giani! Ndahet nga jeta ish-kapiteni i Spal-it dhe heroi i ngjitjes në Serie A

22:45, 02/02/2026

Futbolli italian është zhytur në zi pas ndarjes nga jeta të Nicolas Giani-t, ish-mbrojtës dhe kapiten historik i Spal-it, i cili u shua mbrëmjen e së hënës, më 2 shkurt, në moshën 39-vjeçare, pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me sëmundjen.

I rritur futbollistikisht në akademinë e Interit, në një brez ku bënin pjesë edhe emra si Leonardo Bonucci dhe Marco Andreolli, Giani arriti të përjetonte edhe një grumbullim në pankinë me ekipin e parë zikaltër në Serie A. Karriera e tij vijoi me eksperienca të rëndësishme te Cremonese, Pro Patria dhe Vicenza, ku nën drejtimin e trajnerit Gregucci u riformatua si mbrojtës krahu, duke treguar përshtatshmëri dhe nivel të lartë performance.

Megjithatë, emri i Nicolas Giani-t do të mbetet përgjithmonë i lidhur me Spal-in. I transferuar në Ferrara në vitin 2014, ai u shndërrua shpejt në lider absolut të skuadrës dhe mbajti shiritin e kapitenit në një nga periudhat më të lavdishme të historisë së klubit. Giani ishte një nga shtyllat kryesore të rrugëtimit historik që e çoi Spal-in nga Lega Pro deri në Serie A, duke kulmuar me sezonin legjendar 2016–2017.

Ajo ngjitje shënoi rikthimin e Spal-it në elitën e futbollit italian pas 23 vitesh mungesë, një arritje që e përjetësoi Giani-n si një figurë ikonike për tifozët dhe klubin. Me karakterin e tij, shpirtin luftarak dhe përkushtimin maksimal, Nicolas Giani mbetet një shembull i vërtetë kapiteni, brenda dhe jashtë fushës.

Futbolli humbet një njeri dhe një profesionist të rrallë, ndërsa kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat e atyre që e njohën dhe e duartrokitën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco