Agjenti i Sandro Tonalit ia ka ofruar mesfushorin italian Arsenalit, por një transferim në Londër nuk pritet të ndodhë para mbylljes së afatit kalimtar të së hënës. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur, David Ornstein.
Sipas raportimit, përfaqësuesi i Tonalit ka kontaktuar drejtorin sportiv të Arsenalit, Andrea Berta, për të eksploruar mundësinë e një lëvizjeje. Mesfushori i kombëtares italiane është një profil që “Topçinjtë” e kanë vlerësuar prej kohësh, ndaj Berta e ka shqyrtuar situatën si pjesë e monitorimit të tregut për përforcime të mundshme.
Megjithatë, pengesat kanë qenë të menjëhershme. Newcastle United nuk ka asnjë interes për të negociuar në këtë fazë të merkatos, ndërsa çmimi i kërkuar për kartonin e Tonalit raportohet se është shumë më i lartë sesa kapaciteti financiar aktual i Arsenalit.
Për këtë arsye, nuk ka pasur bisedime zyrtare mes klubeve dhe asnjë hap konkret drejt finalizimit të marrëveshjes. Si rrjedhojë, Tonali pritet të qëndrojë në “St James’ Park” të paktën deri në fund të sezonit.
Pavarësisht interesimit dhe kontaktit fillestar, pista Arsenal–Tonali mbetet për momentin e mbyllur, me mesfushorin italian që do të vazhdojë aventurën e tij në Premier League me fanellën e Newcastle-it.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: