Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin amator italian. Riccardo Chetta, futbollist 39-vjeçar dhe baba i dy fëmijëve, ka ndërruar jetë pasi u rrëzua papritur gjatë një seance stërvitore, përpara syve të shokëve të skuadrës.
Ngjarja ndodhi më 16 janar në provincën e Lecces, teksa Chetta po merrte pjesë në një ndeshje të vogël stërvitore me ekipin e Parabita City, klub që militon në ligën amatore italiane për mbi 30-vjeçarët. Fillimisht ai u ul në fushë dhe më pas u shemb në tokë. Stafi dhe bashkëlojtarët reaguan menjëherë, duke i ofruar ndihmën e parë, përfshirë masazhin kardiak dhe përdorimin e defibrilatorit të pranishëm në kompleksin sportiv të Collepassos.
Shërbimet e emergjencës mbërritën brenda rreth 15 minutash dhe vazhduan përpjekjet për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht Chetta u shpall i vdekur rreth një orë më vonë. Sipas të dhënave paraprake, shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë një aritmi malinje me fibrilacion ventrikular, që çoi në arrest kardiak.
Chetta ishte një figurë shumë e njohur në komunitetin e Parabita-s, i angazhuar edhe në sektorin e turizmit dhe në Festivalin e Librit të Salentos. Ai lë pas bashkëshorten Ilaria, dy djemtë e vegjël, prindërit dhe motrën. Mjeku sportiv që i kishte lëshuar certifikatën mjekësore në dhjetor është tashmë nën hetim.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: