Luka Modrić nuk ka nevojë për prezantim, por ajo që po bën te Milani në këtë fazë të sezonit po konfirmon edhe një herë madhështinë e tij si futbollist dhe si njeri. Mesfushori kroat po ofron paraqitje shumë të mira me fanellën kuqezi dhe është kthyer në një pikë referimi për skuadrën e drejtuar nga Massimiliano Allegri.
Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i Milanit ka folur me superlativa për ish-yllin e Real Madridit, duke u ndalur jo vetëm te cilësitë teknike, por sidomos te aspekti njerëzor dhe profesional i Modrićit. “Nuk është një surprizë nga ana teknike, por ajo që duhet të theksohet janë pasioni, dashuria dhe përulësia”, u shpreh Allegri.
Trajneri kuqezi tregoi edhe një episod domethënës nga ndeshja e fundit kundër Cagliari-t, që sipas tij përfaqëson më së miri mentalitetin e kroatit: “Më bën të buzëqesh fakti që, kur gabon një pasim, zemërohet shumë me veten dhe kërkon menjëherë falje. Në Cagliari mund t’ia shërbente topin Loftus-Cheek përballë portës, gaboi dhe menjëherë kërkoi falje duke u nervozuar me veten”.
Sipas Allegrit, ky qëndrim është një shembull i shkëlqyer për lojtarët e rinj, sepse dëshmon dashurinë dhe pasionin që futbollistët duhet të kenë për sportin që ushtrojnë. “Kjo është ajo që bën diferencën. Sot ka shumë shpërqendrime, ndaj është thelbësore të kesh lojtarë të përqendruar”, përfundoi trajneri i Milanit.
Fjalët e Allegrit konfirmojnë se Modrić, përtej moshës, mbetet një model profesionalizmi dhe një pasuri e çmuar për ambientin kuqezi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: