Një lajm i papritur vjen nga Italia dhe konkretisht nga Napoli. Sipas asaj që raporton ‘Il Mattino’, Kevin De Bruyne mund të largohet nga klubi napolitan që në afatin kalimtar të janarit, një skenar që do të kishte jehonë të madhe në Serie A dhe më gjerë.
Mesfushori belg po përballet me një dëmtim më serioz sesa ishte parashikuar fillimisht. Rikthimi i tij në fushë nuk pritet para fundit të muajit shkurt dhe, edhe atëherë, do të nevojitet kohë shtesë për të rifituar ritmin e ndeshjeve dhe besimin maksimal në aspektin fizik. Mosha 34-vjeçare dhe fakti se gjatë verës do të marrë pjesë në Botërorin e fundit të karrierës së tij, e shtyjnë De Bruyne të mos marrë asnjë rrezik të panevojshëm.
Kur të jetë sërish në dispozicion të Antonio Contes, mesfushori do të ketë nevojë për disa muaj pune të vazhdueshme, jo vetëm disa javë. Pikërisht për këtë arsye, me merkaton e janarit tashmë të hapur, drejtuesit e Napolit janë të gatshëm të vlerësojnë oferta të mundshme, veçanërisht ato që mund të vijnë nga Arabia Saudite.
Ajo që e bën situatën edhe më surprizuese është qëndrimi i vetë lojtarit. Sipas burimeve pranë klubit, De Bruyne është i hapur për të shqyrtuar skenarë të ndryshëm nga ai aktual, duke mos përjashtuar një largim të parakohshëm nga Napoli.
Ditët dhe javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e një prej mesfushorëve më të mëdhenj të dekadës së fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: