Flamengo i jep ultimatum Filipe Luísi-t, në sfond shfaqet edhe emri i Thiago Motta-s

Flamengo i jep ultimatum Filipe Luísi-t, në sfond shfaqet edhe emri i Thiago Motta-s

09:36, 29/12/2025

Situata te Flamengo ka hyrë në një fazë vendimtare. Klubi brazilian ka vendosur t’u japë fund paqartësive rreth së ardhmes së Filipe Luís, duke i vendosur trajnerit një ultimatum të qartë: përgjigjja për rinovimin duhet të vijë brenda ditës së sotme. Sipas medieve braziliane, në tavolinë ndodhet oferta e fundit, e cila do ta bënte ish-mbrojtësin një nga trajnerët më të paguar në Brazil, edhe pse ende larg niveleve të pagave të Abel Ferreira-s apo Carlo Ancelotti-t.

Ideja për ta shpallur rinovimin si një “dhuratë Krishtlindjeje” për tifozët është shuar, pasi negociatat, të drejtuara nga superagjenti Jorge Mendes, kanë mbetur të bllokuara. Kontrata deri në dhjetor 2027 është e gatshme, por nyja kryesore mbetet ajo financiare, jo vetëm për trajnerin, por edhe për stafin e tij. Mendes këmbëngul se Filipe Luís e meriton një rritje të ndjeshme, pas një periudhe spektakolare ku ka fituar pothuajse gjithçka: Brasileirão, Libertadores, Copa do Brasil, Carioca, Superkupën dhe madje edhe Libertadores U-20.

Nga ana tjetër, Flamengo kërkon një zgjidhje “paketë”, ku përfshihen edhe pagat e stafit teknik. Klubi dëshiron që Filipe të jetë fytyra e projektit të ardhshëm, ndërsa vetë trajneri i jep përparësi qëndrimit në Brazil, duke përjashtuar një rikthim të menjëhershëm në Evropë për arsye licence.

Megjithatë, drejtuesit po mbajnë edhe alternativa të hapura. Emra si Leonardo Jardim, Artur Jorge dhe Thiago Motta janë në listë, profile të forta, por të vështira për t’u realizuar. Tani topi është në fushën e Filipe Luís-it: koha po mbaron dhe vendimi i tij do të përcaktojë drejtimin e Flamengos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco