Juventusi i drejtuar nga Luciano Spalletti e mbylli vitin 2025 me një tjetër fitore bindëse, duke triumfuar 2-0 në transfertë ndaj Pisa-s në javën e 17-të të Serisë A. Për bardhezinjtë kjo ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat, një sinjal i qartë vazhdimësie dhe stabiliteti në rezultatet e fundit.
Ndeshja rezultoi më e vështirë nga sa tregon rezultati final. Juventusi iu afrua golit që në pjesën e parë me Openda-n dhe Koopmeiners, por edhe Pisa pati shanset e saj të mëdha. Skuadra e drejtuar nga Alberto Gilardino u ndal dy herë nga shtylla, fillimisht me traversën pas goditjes së Moreo-s dhe më pas me shtyllën e goditur nga Tramoni, duke humbur mundësinë për të kaluar në avantazh.
Në pjesën e dytë, fati vazhdoi të ishte aleat i Juventusit, me Kelly-n që gjithashtu goditi shtyllën, ndërsa ndryshimet nga pankina dhanë efekt. Hyrja e Zhegrovës i dha më shumë gjallëri fazës ofensivë dhe në minutën e 73-të erdhi momenti vendimtar: pas një aksioni të organizuar, Pierre Kalulu devijoi topin nga afër, duke mposhtur portierin Semper dhe duke zhbllokuar rezultatin.
Në minutat shtesë, Juventusi goditi sërish në kundërsulm, me Kenan Yildiz që realizoi golin e dytë dhe vulosi fitoren. Një sukses i rëndësishëm për skuadrën e Spalletti-t, që e mbyll vitin me besim dhe ambicie për vazhdimësinë e sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: