Arsenali reagoi menjëherë pas presionit nga Manchester City dhe me fitoren 2-1 ndaj Brighton-it rimori vendin e parë në Premier League. Në “Emirates”, skuadra e Mikel Artetës tregoi pjekuri dhe vendosmëri, edhe pse ndeshja nuk ishte aspak e lehtë.
‘Topçinjtë’ e nisën fuqishëm takimin dhe që në minutën e 14-të kaluan në avantazh. Pas një aksioni të shpejtë nga e djathta, Bukayo Saka asistoi bukur për Martin Ødegaard, i cili me një goditje të saktë nga jashtë zone e dërgoi topin në rrjetë për 1-0. Arsenali vazhdoi të krijonte raste, me Saka dhe Zubimendi pranë golit të dytë, por portieri Verbruggen mbajti Brighton-in në lojë.
Pjesa e dytë nisi në mënyrë ideale për vendasit. Në minutën e 52-të, pas një goditjeje nga këndi, Georginio Rutter devijoi topin në portën e vet, duke i dhënë Arsenalit avantazhin 2-0. Brighton reagoi dhe në minutën e 64-të ngushtoi shifrat me Diego Gomez, i cili shfrytëzoi një top të mbetur në zonë.
Në minutat e fundit, Brighton-i shtoi presionin dhe pati një rast të artë me Minteh, por David Raya u tregua vendimtar me një pritje të shkëlqyer. Arsenali administroi rezultatin deri në fund dhe siguroi tri pikë shumë të rëndësishme, që e rikthejnë në krye të renditjes, duke i dërguar një sinjal të fortë Manchester City-t.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: