Me afrimin e merkatos së janarit, e ardhmja e Davide Frattesit te Interi është sërish në pikëpyetje. Mesfushori italian nuk ka arritur të rilançohet siç pritej, edhe për shkak të problemeve fizike që e penalizuan në përgatitjen verore dhe hapësirat e pakta në skuadër e bëjnë largimin një opsion konkret. Klubi zikaltër është i hapur për shitje, edhe për të financuar lëvizjet e ardhshme në merkato, me një vlerësim që luhatet mes 30 dhe 35 milionë euro.
Pista më e fortë aktualisht çon në Turqi, te Fenerbahçe, e cila është gati të investojë deri në 40 milionë euro për Frattesin. Klubi nga Stambolli, aktualisht i dyti në kampionat pas Galatasaray-t, do të pranonte formulën e huazimit me detyrim blerjeje, zgjidhje kjo e preferuar nga Interi sepse do t’i garantonte të ardhura të sigurta. Këto fonde do të përdoreshin më pas për objektivin kryesor në krahun e djathtë, Marco Palestra, për të cilin Atalanta kërkon rreth 40 milionë euro.
Megjithatë, dëshira e lojtarit nuk përputhet plotësisht me planet e klubit. Frattesi do të preferonte të qëndronte në Itali, për të pasur më shumë shanse për aktivizim dhe për të qenë në radarët e Kombëtares në prag të Botërorit. Në këtë kuadër, Juventusi vazhdon ta ndjekë me interes, me trajnerin Luciano Spalletti që e vlerëson shumë profilin e tij, ndërsa edhe Napoli e Roma kanë shfaqur interes.
Pra, megjithëse Fenerbahçe është gati ta blejë dhe Interi i hapur për ta shitur, vendimi final do të varet shumë nga vullneti i vetë lojtarit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: