Milani rikthehet në kampionat pas zhgënjimit në Superkupë kundër Napolit dhe të dielën pret Veronën në “San Siro”, në një ndeshje që Massimiliano Allegri e konsideron të vështirë pavarësisht diferencës në renditje. Trajneri kuqezi theksoi rëndësinë e tri pikëve dhe kërkoi përqendrim maksimal ndaj një kundërshtari “të fortë taktikisht dhe të shpejtë”.
Allegri konfirmoi se Rafael Leão nuk është i grumbulluar për shkak të një shqetësimi fizik që nuk e lejon të shpërthejë, duke qenë i prerë: “Lojtarët ‘part-time’ nuk shkojnë mirë”. Në mungesë të tij, Nkunku pritet të ketë hapësirë më të madhe. Trajneri u shpreh besimpolktë te francezi, duke theksuar se ka cilësi të rëndësishme teknike, por ka nevojë për kohë përshtatjeje në Serie A.
Sa i përket mbrojtjes, Allegri pranoi se Milani ka pësuar gola shumë lehtë në ndeshjet e fundit dhe kërkoi rikthimin e rregullit kolektiv, sidomos kundër skuadrave më të vogla. “Për të fituar duhet të bësh mirë të dyja fazat”, nënvizoi ai.
Në merkato, Allegri u shpreh realist për objektivin Champions, duke theksuar se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Ai vlerësoi gjithashtu Fullkrug-un, i cili po rrit gradualisht formën, si dhe rëndësinë e lojtarëve si Fofana, Ricci dhe Loftus-Cheek, duke theksuar se Milani do të ketë nevojë për të gjithë për të arritur synimin e katërshes së parë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: