Bota e biathlonit vijon të jetë në shok pas një tragjedie me shumë pikëpyetje ende të hapura. Sivert Guttorm Bakken, biatleti norvegjez vetëm 27 vjeç, u gjet pa shenja jete më 23 dhjetor në dhomën e tij të hotelit në Passo Lavazè, në Trentino. Detaji i fundit i bërë publik nga Federata Norvegjeze e Biathlonit i ka dhënë ngjarjes një dimension edhe më të errët: në momentin e gjetjes, sportisti mbante të vendosur një maskë hipoksike për oksigjen, e përdorur zakonisht për stërvitje në kushte të simuluara lartësie.
Në një deklaratë zyrtare, Federata Norvegjeze ka sqaruar se nuk ishte në dijeni të ekzistencës apo përdorimit të kësaj maske nga Bakken. Sekretarja e përgjithshme e përkohshme, Emilie Nordskar, e ka përshkruar situatën si “një tragjedi me shumë pyetje pa përgjigje”. Autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë gjatë këtyre ditëve festive, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të sakta të vdekjes dhe verifikimin e çdo lidhjeje të mundshme me përdorimin e pajisjes.
Në qendër të hetimeve ndodhet e ashtuquajtura Elevation Training Mask, një maskë hipoksike që kufizon ndjeshëm rrjedhën e ajrit për të simuluar ajrin e rralluar të lartësive të mëdha. Edhe pse përdoret nga disa atletë të qëndrueshmërisë me synimin për të përmirësuar kapacitetin pulmonar, ajo konsiderohet e diskutueshme dhe potencialisht e rrezikshme, pasi disa studime kanë evidentuar rritje të rrahjeve të zemrës dhe probleme gjatë fazave të rikuperimit.
Historia e Bakken ishte ajo e një talenti të madh të goditur rëndë nga fati. Në vitin 2022 ai kishte arritur kulmin duke fituar garën ‘mass start’ të Kupës së Botës në Holmenkollen, përpara se një perikardit ta detyronte në një ndalesë të gjatë pas sezonit 2021–2022. Pas gati dy vitesh vuajtjesh, ai ishte rikthyer në skenën e Kupës së Botës, përpara se kjo fund tragjik të ndërpriste përgjithmonë jetën dhe karrierën e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: