Antoine Semenyo pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së dimrit në Premier League. Sulmuesi i Bournemouth-it ka tërhequr interesin e disa prej klubeve më të mëdha angleze dhe së fundmi në garë është futur edhe Chelsea, i cili ka nisur kontaktet e para për të vlerësuar mundësinë e transferimit në Londër që në janar.
Sipas raportimeve nga mediet britanike, drejtuesit e “Blues” po analizojnë me kujdes realizueshmërinë e operacionit, të vetëdijshëm se konkurrenca është shumë e fortë. Manchester United dhe Manchester City vijojnë të jenë ndër klubet më të interesuara dhe, për momentin, konsiderohen në avantazh. Në prapaskenë po vëzhgon edhe Liverpooli, veçanërisht pas dëmtimit të Alexander Isak, që ka rritur nevojën për alternativa në repartin ofensiv.
Nyja kryesore e negociatave lidhet me klauzolën e lirimit prej 65 milionë paundësh, e cila do të aktivizohet nga data 1 janar. Një shifër e lartë, por që reflekton rëndësinë dhe rritjen e vazhdueshme të Semenyo-s në këtë sezon. Përpara barazimit spektakolar 4-4 kundër Bournemouth-it, trajneri Ruben Amorim e kishte cilësuar atë si një “lojtar special”, vlerësim që mbështetet edhe nga statistikat: tetë gola të shënuar në Premier League, përfshirë realizimet në dy ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, Tottenham është tërhequr nga gara, duke orientuar interesin drejt objektivave të tjerë. Megjithatë, merkatoja sapo ka nisur dhe emri i Semenyo-s pritet të mbetet në qendër të vëmendjes edhe në javët në vijim, si një nga protagonistët kryesorë të janarit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: