Bolonja provon ta bëjë sërish dhe ta shkruajë një tjetër faqe të artë në historinë e saj.
Pas triumfit të madh ndaj Milanit në finalen e Kupës së Italisë sezonin e shkuar, skuadra kuqeblu synon të “rrëzojë” edhe Napolin dhe ta shndërrojë vitin 2025 në një vit të paharrueshëm për klubin dhe tifozët e tij.
Sot në mbrëmje, në Riad, Bolonja do të përballet me kampionët aktualë të Italisë në finalen e Superkupës Italiane, në një ndeshje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën dhe ku gjithçka mbetet për t’u shkruar.
Trajneri Vinçenco Italiano paraqitet i vendosur dhe ambicioz, pa dëshirë për t’u mjaftuar vetëm me arritjen deri në finale.
“Jemi të karikuar dhe të gatshëm. Do të luajmë një finale historike për qytetin dhe për shoqërinë. Duam ta vëmë në vështirësi një skuadër të madhe dhe ta bëjmë krenare gjithë Bolonjën”, është shprehur tekniku kuqeblu.
Sipas Italianos, kjo sfidë nuk ka lidhje me kampionatin.
“Kampionati është një histori tjetër. Këtu pesha është shumë e lartë, luajmë për një trofe në 90 minuta”, ka theksuar trajneri. Italiano ka përjashtuar ankthin, duke vënë theksin te përqendrimi, qetësia dhe rikuperimi fizik i ekipit. “Nuk ka ankth, vetëm fokus. Duhet të jemi gati dhe të japim maksimumin në fushë.”
Në fund, trajneri ka nënvizuar se finalet nuk janë për t’u luajtur, por për t’u fituar, me synimin e vetëm që të jenë ata që festojnë dhe ngrenë trofeun. Bolonja e tij do të synoj sonte në Riad trofeun e parë të Superkupës, në historinë e klubit kuqeblu. Por më shumë se për trofeun, kjo mund të jetë konfirmimi i radhës, se Bolonja është një nga skaudrat që reflekton më shumë rritje në 3 sezonet e fundit në Itali. Që nga periudha kur bolonjezët drejtoheshin nga Tiago Mota e deri më sot, kuqeblutë vijojnë të faktorizohen gjithmonë e më shumë, duke hyrë në grupin e skuadrave elitare, që janë në garë për trofetë e rëndësishëm sezonalë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: